„Trafiku Urban“ dhe Shkolla e Mesme „Hoxhë Kadri Prishtina“ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Sot, U.D. i Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes “Trafiku Urban”, z. Qendrim Vitija, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtoreshën e Shkollës së Mesme “Hoxhë Kadri Prishtina”, znj. Teuta Govori.
Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi për nxënësit e kësaj shkolle që të zhvillojnë praktikën profesionale në kuadër të ndërmarrjes „Trafiku Urban”.
Përmes këtij bashkëpunimi, nxënësit do të kenë mundësinë të njohin nga afër funksionimin e një ndërmarrjeje publike, të angazhohen në detyra dhe të fitojnë përvojë të vlefshme që do t’i ndihmojë në rrugëtimin e tyre profesional.
Kjo është një ndër iniciativat që dëshmon përkushtimin e “Trafikut Urban” për të mbështetur arsimin profesional dhe për të qenë një urë lidhëse ndërmjet shkollës dhe tregut të punës, tha ndër të tjera Vitija.
“Besojmë fuqishëm se investimi në rininë është investimi më i qëndrueshëm për të ardhmen e vendit tonë!”, theksoi ai

